Dosje tjetër për inceneratorët, Këlliçi publikon në A2 CNN dokumentin e siguruar

Nga A2 CNN
19 Tetor 2023, 19:30 | Politikë
Dosje tjetër për inceneratorët, Këlliçi publikon

Belind Këlliçi ka publikuar në A2 CNN një tjetër dosje për çështjen e inceneratorëve. Në Debatin me Alba Alishanin, ai u shpreh i bindur se këto dokumente nuk ka mundur t’i gjejë as SPAK dhe nuk ka qenë aspak e lehtë për t’i siguruar ato. Ai tha se tani i takon organit të akuzës të verifikojë autenticitetin.

“Nuk kam bërë publik asnjë nga faqe te dokumentacionit që kam depozituar. Janë vënë në dispozicion dokumente origjinale autentike që nuk gjenden në institucionet shqiptare.  Do t’i lë kohën e mjaftueshme se është një material voluminoz. Po përgatitet edhe një tjetër material voluminoz. Nuk merrnim përgjigje për informacionin që kërkonim, nuk merrnim përgjigje nga institucionet, por i kam gjetur me burime. Gjatë verës kam patur mundësinë të siguroj këto dokumente. I takon organit të akuzës të verifikojë autenticitetin dhe të zgjerojë hetimin dhe t’i shkojë deri në fund kësaj afere. Nuk ka qenë aspak e lehtë për të siguruar këto dokumente. Është shumë e komplikuar dhe e vështirë dhe kërkoj nga organi i akuzës të bëjë analizën e plotë të dokumenteve. Por që këto dokumente janë autentike e them me garanci të plotë”.

Sipas Këlliçit ky e-mail është një nga komunikimet që tregon se çfarë ka ndodhur në realitet dhe dokumentat e tjerë zbardhin të gjithë skemën e inceneratorëve.

“Dokumenta si ky janë me qindra dhe dokumentet që vijnë nga Zvicra se afera ka nisur në Elbasan ka vijuar në Fier, në Zvicër, në Maltë, në Zimbabve. Të gjithë dokumentacionet i kemi çuar në SPAK. Dokumentat e tjerë zbardhin të gjithë skemën e inceneratorëve. Zbardhin aktorët kryesorë, zbardhin faktin që personazhe të huaja që janë “presta nome” që kanë gënjyer nën betim kur janë marrë në pyetje dhe kjo faktohet përmes komunikimeve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos