Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i është rikthyer sërish çështjes së Fredi Belerit, i cili ndodhet prej gati 6 muajsh në burg. Ai tha se Beleri po mbahet peng dhe se kjo nuk është një çështje që i përket drejtësisë shqiptare. Në një konferencë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Dule tha se fakti që Beleri nuk po lejohet që të betohet, është tregues se e gjitha është një hakmarrje politike.
“Nuk kemi pasur rast flagrante. Beleri ishte me avokatin e tij dhe më një të afërmin e vet, kujt i blinte dhe kush i shiste votën, nuk ekziston, në shumë hallka të tjera kemi paligjshmëri, duhet prezumimi i pafajësisë, ai është i padënuar dhe për rrjedhojë prezumohet i pafajshëm dhe çdo kryetar i zgjedhur bashkie nuk mund të pengohet që të kryejë betimin, kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës, e parimeve europiane, Beleri është peng dhe duke shkelur Kushtetutën, insistohet që të privohet nga marrja e detyrës, askush nuk e pengon drejtësinë që të bëjë punën e tij, por mbajtja larg betimit është flagrante. Hakmarrje politike”, u shpreh Dule.
Më 14 shtator, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi të kalojë për gjykim çështjen e Belerit, i arrestuar me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. (A2 Televizion)
