
Ish-kryeministrit Sali Berisha i është dhënë masa e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit nga Gjykata e Posaçme, pasi po hetohet nga SPAK për dy vepra penale, pastrim parash dhe korrupsion pasiv.
Të shtunën, u arrestua edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, me po të njëjtat akuza, në lidhje me procedurat e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani, të kthyer nga terren sportiv, në truall për ndërtim.
Një muaj më parë, i ftuar në Debat në A2 CNN, Berisha deklaronte që ishte i hapur për çdo hetim ndaj tij dhe familjarëve të tij dhe se mban përgjegjësi të plotë për çdo shkelje të interesit publik që 2 fëmijët e tij mund të kenë bërë gjatë kohës kur ai vetë ka qenë në pushtet.
“E kam theksuar dhe theksoj, e kam ftuar dhe e ftoj, të shqyrtoj, çdo akt, çdo firmë, çdo vendim të Berishës nga 90 deri sot. Unë jam politikani i vetëm në Shqipëri që keni dëgjuar të them që mbaj përgjegjësi të plot për fëmijët e mi, fëmijët e mi janë të martuar, mund të thosha që ato janë në punën e tyre, unë në punën time, por e kam thënë që mbaj përgjegjësi të plotë për çdo shkelje të interesit publik që ato kanë bërë gjatë kohës që unë kam qenë në pushtet”, deklaronte Berisha në A2 CNN. (A2 Televizion)