I pyetur nga gazetarët nëse protestat dhe greva e urisë janë një opsion i opozitës, Berisha tha se, po është një opsion sikurse edhe është përmendur.
Sipas tij, ka një gatishmëri të vërtetë në këtë drejtim, ndërsa përmendi edhe emërimin e Enkelejd Alibeajt në krye të Komisionit të Reformës Elektorale.
“Absolutisht greva e urisë është përmendur, ashtu siç thoni ju. Plotësisht! Ka gatishmëri të vërtetë dhe është një opsion. Nuk ka diskutim, kjo është betejë. Ne e kemi nisur këtë, kur ai de facto na asgjësoi ne në parlament. Kur arriti gjer aty sa të na caktojë përfaqësuesin tonë në komisionin e reformës elektorale. Çfarë mund të presësh më shumë se kaq? Ka një eliminim më të fortë se ky?
Pra, ne caktuam Oerd Bylykbashin, një ekspert i shquar, i njohur edhe nga komuniteti ndërkombëtar për njohuritë e tij në të drejtën elektorale dhe ai thotë unë dua Enkelejdin. Jo atë, nuk e pranoj, pranoj Enkelejdin. Pranon pengun. Kështu pastaj nuk mund të ecet. Ai këtë situatë e krijoi vetë, për këtë situatë do përgjigjet. Ky është njëri aspekt, por çdo aspekt tjetër është i tillë. Merrni ju qëndrimin ndaj Kosovës. Nuk mund ta pranojmë ne kurrë këtë.
Ne kemi qëndruar në një pozicion të vetëpërmbajtur sepse ne nuk duam të ndërhyjmë në punët e brendshme të Kosovës. Në raste madhore kur cenohet interesi kombëtar, siç janë çështjet e territorit, sigurisht e kemi këtë të drejtë. Por në raste të tjera nuk kemi ne, Kosova ka përfaqësuesit e vet. Më vjen keq që e përsëris, jam marrë gjithë jetën me të. Që në momentin që Kosova ka pasur përfaqësuesit e vet, kam pasur vetëm një fjalë për udhëheqjen politike të Beogradit.
Kurrë në tryezë me mua nuk diskutoni çështjen e Kosovës. Kurse ky organizon kurthe. A nuk u takua ky fshehtas me Vuçiç në Nju Jork? Dhe tre apo pesë ditë më vonë, Radoiçiç bëri atë që bëri. Dhe ky nuk e mohoi, përkundrazi doli e tregoi se çfarë kishin biseduar atje.
Pa shprehur ngushëllime për Afrim Bunjakun, të rënin. Tani merr fund kjo gjë, jemi gjysma e kombit. Nuk mund të sillet kurrë në këtë mënyrë, ose ta mbyllë gojën të mos ndërhyjë në punët e brendshme, ose do i bëhet ajo problem i madh këtu brenda.” (A2 Televizion)