F1 në SHBA, triumfon Verstappen. Hamilton e Leclerc skualifikohen

Nga A2 CNN
23 Tetor 2023, 10:09 | Sporte të tjera
F1 në SHBA, triumfon Verstappen. Hamilton e Leclerc skualifikohen

Pas garës sprint të fituar të shtunën, Max Verstappen, kompletoi triumfin në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke kaluar i pari në finish edhe në garë.

Edhe pse u kurorëzua kampion bote, piloti i Red Bullit nuk ndalet. Holandezi fitoi garën e 50-të në karrierë dhe barazoi rekordin me 15 vende të para në një edicion, të regjistruar nga vetë ai gjatë vitit të kaluar.

Nisja nga vendi i gjashtë nuk e pengoi që të regjistronte fitoren e parë në histori të një makine që nuk nisej nga radha e parë në cirkuitin e Austin. Kur kanë mbetur edhe katër gara nga mbyllja e Botërorit të Formula 1, Verstappen mund ta përmirësojë rekordin.

Në garën e Shteteve të Bashkuara nuk munguan as të papriturat. Lewis Hamilton e Charles Leclerc u skualifikuan prej parregullsive të konstatuara në pjesën e poshtme të makinave të tyre, që sipas rregullores duhet të jenë minimalisht 9 milimetra mbi asfalt. Hamilton me Mercedes dhe Leclerc me Ferrari humbën përkatësisht vendin e dytë dhe të gjashtë në renditje.

Nga skualifikimi i tyre përfituan Lando Norris, që u ngjit në vendin e dytë dhe Carlos Sainz, i cili plotësoi podiumin me vendin e tretë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos