
Në seancën solemne për 25 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila nisi me një minutë heshtje për të gjithë të rënët për lirinë, qeveria dhe opozita kujtuan sakrificën e familjes Jashari dhe luftën e UÇK-së.
Presidentja Vjosa Osmani tha se Epopeja e UÇK-së është epope e dinjitetit, krenarisë dhe lirisë. Ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 sipas saj, përbëjnë një ndër shtyllat më të forta mbi të cilat u ngrit shteti i ri i Kosovës.
Kryeministri, Albin Kurti, tha se rezistenca e familjes Jashari në Prekaz dhe figura e Adem Jasharit janë vetë trungu i historisë së Kosovës ndërsa kryetari i kuvendit Glauk Konjufca e cilësoi si të pashembullt luftën e familjes Jashari.
Jashari, vëllai i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, u kërkoi deputetëve të kenë një qëndrim të përbashkët në sfidën që i pret përpara ;ndarjen një herë e përgjithmonë nga Serbia.
Manifestimet treditore në përkujtim të 25 vjetorit të betejës së Prekazit, e cila shënoi edhe fillimin e luftës gati dyvjeçare mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, nisën të dielën me homazhe në fshatin Prekaz.
Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe rrethuan familjen Jashari në Prekaz ku gjatë luftimeve disa ditor humbën jetën mbi 50 anëtarë të familjes përfshirë edhe komandantin legjendar Adem Jashari. (A2 Televizion)