3 orë në prokurori, kallëzimi për pronat e ushtrisë, SPAK ballafaqon dy ish-gjeneralët

Nga A2 CNN
9 Mars 2023, 21:36 | Kronikë
3 orë në prokurori, kallëzimi për pronat e ushtrisë,

Për gati 3 orë me radhë, dy ish-gjeneralë të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku dhe Artur Meçollari ishin në SPAK. Ata dhanë shpjegime për të njëjtën çështje, atë të ndërhyrjes në pronat e ushtrisë, por nga anë të ndryshme të llogores, njëri si i kallëzuar e tjetri si kallëzues. Burime pranë SPAK bënë me dije se mes tyre pati edhe një ballafaqim.

Ish-shefi i shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, aktualisht deputeti i Partisë Socialiste, Bardhyl Kollçaku është kallëzuar nga Meçollari për “shpërdorim të detyrës”, në lidhje me dhënien me qira të bazës detare ushtarake të Limionit në Sarandë. Jashtë SPAK, deputeti Kollçaku nuk dha asnjë deklaratë, duke përdorur si mbrojtje sekretin hetimor.

“Problemi është që çështja është një sekret hetimor dhe do e merrni vesh në kohën e duhur”, tha Kollçaku.

I kursyer për orët e qëndrimit në godinë u tregua edhe ish-drejtuesi i Forcës Detare, Meçollari, por rrëfeu detaje të kallëzimit të tij kundër ish-shefit të shtabit, Bardhyl Kollçaku, ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe Komisionerit për Informim, Besnik Dervishi.

“Në cilësinë e personit që ka dijeni të një vepre penale dhe kallëzues për çështjen e bazës detare të Sarandës. Kam kallëzuar ish-ministrin e mbrojtjes dhe ish-shefin e shtabit të përgjithshëm . Bëhet fjalë për dhënien e të gjithë bazës me qira pa lënë asnjë metër katror për forcën detare. Kallëzimi është për shpërdorim detyre dhe në fund vendos gjykata”, u shpreh Meçollari.

SPAK po heton prej vitit 2021 dy kallëzime të bëra nga Meçollari kundër zyrtarëve të tanishëm dhe ish-zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, të cilët i akuzon për tjetërsim të pronave ushtarake, pa marrë miratimin e Presidentit të Republikës.

Një prej kallëzimeve është për bazën detare në Sarandë, ndërsa tjetri, për të cilën ka kallëzuar edhe presidentin aktual të republikës Bajram Begaj është për banën ushtarake në Shëngjin. Deri në këtë fazë, SPAK nuk ka regjistruar emra personash konkretë nën hetim.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos