
Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përfitoi nga urimi për 30-vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë, për të mbështetur edhe një herë tezën e tij për bashkim kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Sot ua uroj të gjithë gjermanëve ditën e Bashkimit të Gjermanisë. Ua uroj edhe bartësve të institucioneve, Kancelares, Ambasadorit në Kosovë dhe Kryetarit të SPD-së. Gjermania është shembull e model, për zhvillim përmes punës e dijes, përmes ndershmërisë e shtetit. E po ashtu, për neve shqiptarët, është model që mbështet argumentin se bashkimi kombëtar nuk sjell destabilizim, por balancim, zhvillim, demokratizim e paqe”, shkruan Kurti në Facebook.
“Shumë vende perëndimore e fqinje ishin të shqetësuara atëbotë, dhe kundërshtuan bashkimin e dy Gjermanive. Por sot të gjithë janë të kënaqur me Gjermaninë, lokomotivë e BE-së, garantuese e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, promovuese e marrëdhënieve të mira mes shteteve. Tetori, i shenjtë për gjermanët, fillon me ditën e tyre, nëntori i shenjtë për ne, mbaron me ditën tonë”. (A2 Televizion)