33 milionë lekë dëm, vetëm në një kompani, përmes krimit kibernetik, 2 të rinj në pranga

Nga A2 CNN
26 Maj 2021, 10:13 | Kronikë
33 milionë lekë dëm, vetëm në një kompani,

Dy persona janë arrestuar dhe pesë të tjerë janë proceduar personalisht, për vjedhje dhe përdorim të të dhënave bankare, njoftoi Policia e Shtetit.

Pasi ka marrë kallëzimin nga një kompani e telefonisë së lëvizshme, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka kryer hetime nga të cilat ka rezultuar se një shtetas, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë përdorur të dhëna kartash bankare të cilat dyshohet se janë vjedhur nga shtetas të ndryshëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim për të përfituar financiarisht duke blerë pajisje të telefonisë së lëvizshme.

Nga materialet e deritanishme ka rezultuar se vetëm në një kompani këta shtetas kanë kryer një dëm prej rreth 33.000.000 lekësh, ndërkohë dyshimet janë se dëme të konsiderueshme kanë dhe kompani të tjera të cilat shesin produkte në rrjet (online) dhe për këtë fakt hetimet janë në vazhdim.

Në pranga kanë përfunduar Q.T., 21 vjeç, dhe I.B., 18 vjeç, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Policia thotë se ka kryer hetime edhe në lidhje me persona të cilët kanë furnizuar apo kanë bashkëpunuar për sigurimin e të dhënave të kartave bankare, nga ku rezultoi se këta shtetas kanë bashkëpunuar dhe me shtetasit:

E. H., 21 vjeç, E. Sh., 19 vjeç, Dh. T., 23 vjeç, M. M.,  33 vjeç (shtetas i huaj) dhe S. S, 26 vjeç (shtetas i huaj). Të  pestë këta shtetas po procedohen penalisht, pasi dyshohen si bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Gjithashtu, nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier u kontrolluan disa banesa dhe ambiente dhe me cilësinë e provës materiale u sekuestruan telefona celular, laptopë dhe dokumente, fatura të ndryshme bankare etj.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos