
Policia e Vlorës në bashkëpunim me forcat e posaçme "Shqiponjat", kanë arrestuar një 52-vjeçar, në banesën e të cilit u gjetën 48 kg kanabis.
Bazuar në informacionet e marra se një person posedonte lëndë narkotike, si dhe kishte kultivuar bimë narkotike në banesën e tij në fshatin Kuç, u finalizua operacioni “Koordinata”, në kuadër të të cilit u bë kapja e shtetasit, H. K., banues në fshatin Kuç, Himarë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 52-vjeçarit, u gjetën dhe u sekuestruan 48 kg lëndë të dyshuar cannabis sativa.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë asgjësuan disa bimë narkotike të cilat dyshohet se i ka kultivuar ky shtetas.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. (A2 Televizion)