
Këshilli i Lartë Gjyqësor po verifikon 49 gjyqtarë në total, të cilët kandidojnë për vende të lira në Gjykatën e Lartë, në gjykatat e Apelit si edhe në atë të Posaçme.
Sipas KLGJ, 23 prej kandidatëve synojnë 11 vende të lira në Gjykatën e Lartë. Për 21 prej tyre KLGJ ka përfunduar verifikimin e kushteve ligjore dhe ndërkohë po vijon procedurën për verifikimin e pasurisë, figurës dhe profesionalizmit.
Në sitën e verifikimit të KLGJ janë edhe 20 kandidatë për 20 vende të lira në Gjykatat e Apelit në vend.
Sipas të dhënave të KLGJ, Gjykata e Posaçme e Apelit dhe e Shkallës së Parë janë më të varfrat në numër kandidatësh. Kështu, për 6 vende të lira në Apelin e Posaçëm ka vetëm 4 kandidatura. Ndërsa në Shkallën e Parë të Gjykatës së Posaçme, për 6 vende të lira, kanë shfaqur interes vetëm 2 kandidatë.
Për kandidatët e të gjitha vendeve të lira në gjyqësor, që janë pa vetting, KLGJ u ka kërkuar organeve të vetting-ut kalimi i tyre me përparësi në filtrat e procesit të rivlerësimit kalimtar. (A2 Televizion)