
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës paralajmëroi sot se Rusia po përgatit një ofensivë të re madhore ndërsa paralajmëroi se mund të fillojë më 24 shkurt.
Oleksii Reznikov u shpreh se Moska ka grumbulluar mijëra trupa dhe mund të "provojë diçka" për të shënuar përvjetorin e pushtimit.
Sulmi do të shënonte gjithashtu Ditën e Mbrojtësit të Atdheut të Rusisë më 23 shkurt, festë kjo që nderon ushtrinë. Reznikov tha se Moska ka mobilizuar rreth 500,000 trupa për ofensivën.
Kujtojmë se në shtator, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një mobilizim të përgjithshëm të rreth 300,000 trupave të rekrutuar, për të cilat ai tha se ishin të nevojshme për të siguruar "integritetin territorial" të vendit.
Por, sipas Reznikov, shifra e vërtetë e të rekrutuarve dhe të vendosurve në Ukrainë mund të jetë shumë më e lartë.
“Zyrtarisht ata shpallën 300,000, por kur shohim trupat në kufi, sipas vlerësimeve tona është shumë më tepër”, tha ai për rrjetin francez BFM.
Pavarësisht disa luftimeve të rënda në rajonin lindor të Donbasit, lufta ka hyrë në një ngërç në muajt e fundit që kur Ukraina rimori qytetin jugor të Khersonit. (A2 Televizion)