
Ndodhen në një parajsë të vërtetë për pushime, por fatkeqësisht 500 turistët e një resorti në Sardenjë janë të detyruar të qëndrojnë në karantinë për shkak të koronavirusit.
E gjithë kjo ka ndodhur në resortin e Santo Stefano në arqipelagun e Madalenës pas një rasti pozitiv mes stafit të strukturës turistike.
Pas kësaj njësia e administrimit të pandemisë në rajon ka testuar të gjithë të pranishmit në resort të cilët duhet të qëndrojnë të mbyllur deri në daljen e përgjigjeve.
Dy turistë nuk ishin dakord me këtë vendim dhe tentuan të largoheshin, por u ndaluan menjëherë nga forcat e rendit.
Kryebashkiaku i Madalenës, Luca Montella shpjegon se nuk ka asnjë alarm dhe se të gjithë të pranishmëve iu është kërkuar të qëndrojnë në resort deri në daljen e rezultateve.
Gjithashtu ai ka ndërmarrë një urdhër të ri ku iu kërkohet të gjithëve të mbajnë maska në rrugët e qendrës së qytetit. (A2 Televizion)