S’ka grup kriminal, SPAK “përcjell” në Durrës dosjen e “Alba Exotic”

Nga A2 CNN
12 Gusht 2022, 13:59 | Kronikë
S’ka grup kriminal, SPAK “përcjell” në Durrës

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka shpallur moskompetencë në hetimin ndaj shoqërisë “Alba Exotik Fruit”, në kontenierët me banane të së cilës janë bllokuar 6 ngarkesa kokaine.

Dosja ndaj kompanisë së importit të bananeve nga Ekuadori dhe dy administratorëve të arrestuar, Eduard Dauti dhe Bajram Gumeni, është përcjellë në Prokurorinë e Durrësit. Burime pranë SPAK, konfirmuan se në gati 2 vite hetim nuk u gjetën prova të mjaftueshme për të provuar se vëllezërit Dauti e Gumeni kanë bërë trafik ndërkombëtar të drogës në formën e “grupit të strukturuar kriminal”.

Pas rënies së “grupit kriminal” dhe dyshimeve se bashkëpunimi mes tyre është i thjeshtë, prokurorët e SPAK kanë vlerësuar se hetimi duhet të vijonte nga kolegët e tyre në Durrës, në portin e të cilit janë ndaluar ngarkesat e kokainës. Në prokurorinë e qytetit bregdetar është përcjellë edhe dosja e shqyrtimit të sekuestros së aksioneve dhe aseteve të luajtshme e të paluajtshme të shoqërisë “Alba Exotic”, të ngrira në shkurt të këtij viti.

Gjatë dy viteve të fundit në kontenierët e shoqërisë “Alba Exotic Fruit” janë bllokuar 6 ngarkesa me nga 5 deri në 10 kilogramë. Ndërsa në episodin e vitit 2019, gjatë tranzitit në portin e Pireut të një prej kontenierëve u bllokua një sasi prej 137 kg kokainë, që u zëvendësua më pas me oriz.

Në përballjen me gjykatën gjatë caktimit të masave të sigurisë, por edhe përmes avokatit të tyre, dy administratorët Dauti e Gumeni në vijimësi kanë përjashtuar veten nga trafiku i drogës, duke pretenduar se sasitë e drogës kanë qenë gjithmonë në pajisjet jashtë kontenierëve dhe jo në brendinë e tyre (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos