6 vjedhje në pak ditë në Palasë, arrestohen dy grabitësit

Nga A2 CNN
18 Tetor 2020, 14:44 | Kronikë
6 vjedhje në pak ditë në Palasë, arrestohen dy

Policia e Vlorës ka zbardhur 6 vjedhjet e ndodhura, kohët e fundit, në Palasë të Himarës dhe ka vënë në pranga dy persona, njëri prej tyre nga Palasa dhe tjetri nga Orikumi, që ishin shpallur në kërkim. Dy të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë grabitur para dhe sende me vlerë.

Njoftimi i Policisë Himarë

Strukturat e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me forcën e posaçme "Shqiponjat" dhe Forcën Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, bazuar dhe në informacione të marra në rrugë operative, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në  kërkim B. Ç., 31 vjeç, banues në Orikum, Vlorë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, më datë 17.09.2019, i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”.

Në vazhdimësi të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë kapën dhe  ndaluan edhe shtetasin P. Gj., 48 vjeç, banues në fshatin Palasë, Himarë, pasi këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen si autorë të vjedhjeve në disa banesa në fshatrat Palasë dhe Dhërmi në Himarë, konkretisht:

-Më datë 08.07.2019, në fshatin Dhërmi, Himarë, dyshohet se i kanë vjedhur rreth 4.000 lekë dhe disa sende personale shtetases K. R.;

-Më datë 02.10.2020, në fshatin Palasë, Himarë, dyshohet se i kanë vjedhur 20.000 lekë shtetases K. K.;

-Më datë 06.10.2020, në fshatin Palasë, Himarë, dyshohet se i kanë vjedhur 7.000 lekë, 50 euro dhe një pasaportë biometrike greke shtetases V. K.;

-Më datë 06.10.2020, në fshatin Palasë, Himarë, dyshohet se i kanë vjedhur një çantë me rroba personale me dëm ekonomik rreth 10.000 lekë, shtetases M. Th.;

-Më datë 06.10.2020, në fshatin Palasë, Himarë, dyshohet se i kanë vjedhur vjedhur 1.000 lekë shtetasit A.P.;

-Më datë 15.10.2020, në fshatin Palasë, Himarë, dyshohet se i kanë vjedhur 5.000 lekë, një orë dore, një unazë floriri dhe një byzylyk dore shtetases A. B.;

Vijon puna për dokumentimin e plotë të vjedhjeve të ndodhura në rrethin e Himarës.

Ndërkohë, në Vlorë, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë u kapën dhe u arrestuan në flagrancë 3 shtetas, njeri prej të cilëve rezultoi i shpallur në kërkim, konkretisht: L. H., 23 vjeç, i shpallur në kërkim më datë 25.07.2019, nga DVP Tiranë, për veprën penale "Vjedhja", I. L., 15 vjeç dhe F. B., 15 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, kanë tentuar të vjedhin në marketin në pronësi të shtetasit A. K., 50 vjeç, banues në Vlorë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos