Ministria e Brendshme urdhëron dëbimin e iranianit Ehsan Bidi

Nga A2 CNN
18 Tetor 2020, 14:27 | Kronikë

Ministria e Brendshme ka urdhëruar dëbimin nga vendi ynë të shtetasit iranian Ehsan Bidi. A2 ka siguruar urdhrin e institucionit për dëbimin e 43-vjeçarit Bidi, dezertor i kampit të muxhahedinëve në Manzë dhe i dyshuar si agjent i shërbimeve sekrete iranine.

Urdhri për dëbimin e Bidi mban datën 17 tetor. Duke iu referuar 43-vjeçarit, Ministria e Brendshme sqaron në dokument se ai “është subjekt i një urdhri dëbimi si person i padëshiruar”. I dyshuari si agjent i inteligjencës iraniane, ai mbërriti në Shqipëri në tetor të vitit 2013 si pjesë e kontingjentit me më shumë se 2 mijë muxhahedinë nga kampi i lirisë në Irak.

Megjithëse, pati një urdhër-largimi vullnetar të tij në muajin gusht, pala greke nuk e lejoi të kalonte kufirin dhe Bidi u ndalua nga policia në kufirin e gjelbër në Kapshtisë. Dëbimi i Bidi është i radhës në më shumë se 80 dëbime shtetasish të huaj gjatë 5 viteve të fundit, pjesa më e madhe e të cilëve iranianë.

Dokumenti i dëbimit nga vendi ynë

Ata janë dyshuar si të angazhuar në aktivitete kundër muxhahedinëve në Shqipëri. Kështu, në janar të këtij viti, Ministria e Jashtme shpalli non grata dhe dëboi nga vendi dy diplomatë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Tiranë.

Në korrik, ministri i Brendshëm, urdhëroi dëbimin e një iraniani 29-vjeçar, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar “non grata” u shpall ambasadori i Iranit në Tiranë dhe shefi i inteligjencës në njësinë diplomatike. Javën e kaluar në një hark kohor pak ditor në Policia e Shtetit prangosi 3 iranianë, një prej të cilëve i dyshuar për spiunazh dhe është në kërkim të një të katërti.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos