
Një tjetër rast i dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit është goditur në Korçë. Policia njofton se ka vënë në pranga një të ri 25-vjeçar, që transportonte 30 emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar.
Ai është Renato Çela nga Fushë-Maliqi.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me patrullat e "Frontex", në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se përgjatë aksit rrugor Devoll-Maliq, me një mjet furgon tip "Ford" do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën, kanë bërë të mundur lokalizimin e mjetit dhe janë vënë në ndjekje të tij. Forcat e Policisë, i kanë bërë me shenjë drejtuesit të mjetit të ndalonte, por ky i fundit nuk i është bindur urdhrit të tyre dhe ka braktisur mjetin në afërsi të fshatit Zëmblak, Maliq, brenda të cilit janë konstatuar 30 emigrantë të paligjshëm”- thuhet në njoftimin e Policisë. (A2 Televizion)