
Vizita e 6 viteve me parë e Atit të Shenjte, mbetet një kapitull i rëndësishëm në librin e ngjarjeve historike të vendit për dekadën që po jetojmë, një simbolikë vëllazërie, mes Shtëpisë së Vatikanit, Shqipërisë e Italisë si dhe për rëndësinë e personalitetit që e cilësoi këtë tokë, të fisme, tokë heronjsh e martirësh.
Imzot George Frendo ishte i ftuar në Ditarin e mëngjesit ku kujtoi edhe njëherë këtë vizitë të paharrueshme dhe mesazhet që Papa Françesku la për popullin shqiptar.
“Kanë kaluar 6 vjet nga ajo vizitë. Mbetet një ditë e paharrueshme, tregon interesin që ka pasur Papa Françesku për vendin tonë. Papa na nderoi dhe duke shpallur shenjtërimin e Nënë Terezës dhe krijimin e kardinalit Ernest Troshani.
Në fjalën e tij para presidentit Bujar Nishani, Papa shprehu gëzimin e tij që ishte në këtë vend dhe ka vazhduar duke thënë se është një model edhe për shumë vende të tjera për sa i përket marrëdhënies ndërfetare. Kjo ishte një temë që e përsëriti disa herë me këmbëngulje dhe kur u takua me krerët e komuniteteve fetare.
Ka qenë një ditë shumë e ngarkuar sepse ka pasur shumë takime të ndryshme. Kremtimi kryesor është mesha e shenjtë. Nuk mund ta harroj entuziazmin e popullit që e priti Papa Françeskut në sheshin kryesor. Këtë ai ma thotë gjithmonë.
Duhet të kujtojmë mesazhet e veçanta sidomos në fund të meshës “Shqiponja fluturon larg, por nuk harron çerdhen ku ka lindur të vegjlit të saj”. Dhe kështu në Shqipëri duhet të jetojmë me atë shpresë duke kërkuar të mirën e popullit dhe paharruar të kaluarën. Ati i Shenjtë përmendi sa shumë ka vuajtur populli dhe besimet e ndryshme dhe nuk duhet të harrojmë që të mos përsëriten gabimet e së kaluarës, por të shohim të ardhmen me shpresë.
Ai iu drejtua dhe të rinjve që të shohin të ardhmen në Shqipëri me shumë shpresë. Në fjalën për paqen ai nxiti politikanët që të gjejnë të mirën e përbashkët. Besimet nuk duhet të jenë në garë me njëri-tjetrin, por të bashkëpunojnë për të mirën e vendit”, tha mes të tjerash në A2, imzot George Frendo. (A2 Televizion)