Në 1 javë shkollë, në Tiranë asnjë klasë e mbyllur, 3 nxënës e 26 mësues në izolim

Nga A2 CNN
21 Shtator 2020, 14:42 | Aktualitet
Në 1 javë shkollë, në Tiranë asnjë klasë e

26 mësues të karantinuar, 3 nxënës të infektuar dhe asnjë klasë e mbyllur. Kjo është situata nga epidemia në Tiranë, në javën e dytë të shkollës.  

Epidemiologët e shpërndarë në terren thonë se shkolla “Jeronim de Rada” aktualisht ka numrin më të lartë të arsimtarëve në izolim. 18 mësues të kësaj shkolle, një pjesë të prekur dhe të tjerë të dyshuar janë vetizolur.  Specialistët po monitorojnë rastet e kontaktit dhe situatën brenda klasave, për të parandaluar përhapjen e transmetimit.

"Gjatë javës së parë kemi marrë informacione, kemi bërë gjurmimin dhe hetimin e mësuesve që kanë pasur lidhje apo kontakte me personat pozitivë. Të gjitha këto raste i kemi karantinuar për të miniminzuar transmetimin e infeksionit në shkolla", u shpreh epidemiologu Rexhep Muja.

Por ende nuk mund të flitet për mbyllje të klasave. Referuar situatës aktuale, epidemiologët kanë sugjeruar vetëm zëvendësimin e mësuesve të prekur apo që janë raste kontakti.

"Nuk është synimi ky, nuk mund të mbyllim shkolla. Për situatën aktuale kemi kërkuar zëvendësimin e mësuesve të prekur apo të dyshuar, me mësues të tjerë", shtoi epidemiologu.

Epidemiologu Rexhep Muja tregon se në javët e para të vjeshtës, situata epidemiologjike është e qëndrueshme, ndërsa virusi në qarkullim nuk është agresiv si më parë. Shenjat klinike të Covid-19 janë zbutur dhe në shumë raste të prekurit po e kalojnë si rrufë të lehtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos