Mjekët shqiptarë në Gjermani, informacione mbi koronavirusin dhe turizmin në vendet shqipfolëse

Nga A2 CNN
21 Shtator 2020, 14:06 | Aktualitet

Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë, më 8 gusht të vitit 2020, mori iniciativën për zhvillimin e aktivitetit “Sensibilizimi mbi koronavirusin për popullatën gjermane” njëkohësisht shfrytëzoi rastin për të promovuar vendet shqipfolëse si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mal i Zi. Federata e Mjekëve shqiptarë në Evropë është regjistruar në gjykatën në Gjermani, si një nga federatat më aktive këtu dhe në gjithë Evropën. Anëtarët e saj janë mjekë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Rreth një mijë mjekë shqiptarë punojnë në Gjermani, dhe numri i tyre i përgjithshëm në Evropë arrin në 3000.

Dr. Elona Meta-Haubrich, Presidente e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, thotë se organizata do të zgjerohet edhe në vende të tjera Europiane, (në radhë është hapja e përfaqësisë në Poloni), dhe  promovimin e gjuhës, kulturës e zakoneve shqiptare, si dhe të integrimit të Kosovës dhe Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Gjatë aktivitetit u vu re edhe një interesim i qytetarëve gjermanë për situatën në rajonin e Ballkanit, veçanërisht për Kosovën dhe Shqipërinë. Mjekët e pranishëm në aktivitet u shpjeguan kalimtarëve gjermanë jo vetëm informacione rreth masave parandaluese për përhapjen e koronavirusit, por edhe për Shqipërinë dhe Malin e Zi si dy vende me potencial të lartë turistik.

Federata Mjekëve Shqiptarë në Evropë u ka dhënë përparësi aktiviteteve humanitare për njerëzit e prekur nga koronavirusi në trojet shqiptare dhe është duke u përqendruar në këshillat e ekspertëve profesionalë. Federata gjithashtu ka krijuar një faqe në internet përmes së cilës mjekët mund të këshillohen falas me këdo që ka probleme të ngjashme. Federata gjithashtu po monitoron nga afër përhapjen e COVID-19 në Shqipëri dhe Kosovë. Duke dashur të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes, ajo po u bën apel të gjithëve që të mos e nënvlerësojnë rëndësinë e situatës dhe rrezikun e përhapjes së virusit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos