
E mbarë bota reagon e shokuar ndaj masakrave të ushtrisë ruse në një qytet në rajonin e Kievit në Ukrainë. Polonia e konsideron gjenocid, Franca një provë të qartë të krimeve të luftës, ndërsa BE është gati për sanksione të reja. Makabritetet e ushtrisë ruse në qytetin Bucha të Ukrainës po tronditin mbarë botën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe qeveria e tij flasin për gjenocid: 410 trupa të gjetur në varre masive, ndërsa dhjetëra të pajetë të tjerë nëpër rrugët e qytetit në verilindje të rajonit Kiev, disa prej tyre dhe me duar të lidhura.
OKB-ja flet për krime të mundshme lufte, ndërsa Këto imazhe alarmuan komunitetin ndërkombëtar që kërkon ndëshkimin e Moskës edhe me më shumë sanksione. Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, masakrat e përgjakshme të ushtarëve të Rusisë në qytetin pranë Kievit, i konsideroi gjenocid dhe kërkoi një gjyq për të dënuar përgjegjësit. “Çdokush që lejon një tjetër tragjedi të tillë, mban gjithashtu përgjegjësi. Nga ky moment, i bëj thirrje liderëve të Bashkimit Europian që të veprojnë me vendosmëri, të ndërmarrin veprime që thyejnë makinerinë e luftës së Putinit”, tha ai.
Morawiecki pati kritika të forta për presidentin francez Emmanuel Macron, i cili ka negociuar për paqe që prej nisjes së luftës me homologun rus, Vladimir Putin, duke i thënë se nuk ka arritur asnjë gjë dhe se nuk ka mundur të ndalojë masakrat në Ukrainë. “Kriminelët duhet të luftohen. Askush nuk negocioi me Hitlerin. A do të negocionit ju me Hitlerin?”.
Macron nuk iu përgjigj kryeministrit polak, por dënoi makabritetet e ushtrisë ruse në Bucha. Kreu i Elizesë kërkoi vendosjen e sanksioneve të reja më të ashpra kundër Moskës duke bllokuar eksportet e saj për në Europë, kryesisht të qymyrit dhe gazit. “Imazhet që vijnë nga Bucha janë të papërballueshme dhe ne të gjithë jemi ekstremisht të shokuar dhe e dënojmë me vendosmëri këtë. Është e qartë se janë shenja të pastra që tregojnë për krime lufte”, tha ai.
Edhe Gjermania dënon masakrat e ushtrisë ruse në Ukrainë dhe bie dakord me ndalimin e importit të gazit rus, teksa njofton se do t’i dërgojmë shumë armë Kievit. BE është gati për sanksione të reja, duke bërë presion për një hetim të gjerë mbi çështjen. (A2 Televizion)