
Dështimi i turpshëm i Gjermanisë, për të dytin Botëror radhazi pas atij të 2018-s, duket se nuk la pa futur në rrjetën e sulmeve edhe kryesulmuesin e “Pancerave”, Thomas Müller.
Edhe pse tanimë në një moshë jo të vogël, Müller ka folur pas ndeshjes me Kosta Rikën, teksa është pyetur në lidhje me të ardhmen e tij, kjo pas fjalëve të fundit se përballja e djeshme ishte e fundit për të me Kombëtaren gjermane dhe me futbollin e luajtur.
Në lidhje me këtë, Müller tha për Bild.de se, ende nuk mund ta përcaktojë qartë nëse ky ishte fundi i karrierës së tij, por nga ana tjetër nisi të falënderojë fansat dhe të gjithë tifozët që e kanë mbështetur atë në këtë rrugëtim të gjatë me futbollin e luajtur.
“Nuk e di ende ekzaktësisht se si do të shkojë, nëse kjo do të jetë ndeshja ime e fundit me kombëtaren. Por, dua t’ju drejtohem të gjithë tifozëve gjermanë, të cilët më kanë mbështetur në gjithë këto vite, ishte një kënaqësi e madhe. Të dashur tifozë, shumë faleminderit! Bashkë kemi pasur momente të shumta të paharrueshme. Në çdo ndeshje jam përpjekur që të lë zemrën time në fushë, pavarësisht se nuk kanë qenë të pakta rastet kur i kemi bërë ata me dhimbje koke, por gjithçka e kam bërë me dashuri. Përsa i përket asaj që do të bëj në të ardhmen, do më duhet ta shikoj. Ju falënderoj të gjithëve.” (A2 Televizion)
Thomas Müller