
Deri në datën 15 maj, Ministria e Arsimit pret nga çdo universitet planin për rikthimin e studentëve nëpër auditore. Profesori Artan Fuga, në një lidhje direkte me “Ditari” në A2, bëri thirrje që të mos luhet me jetën e studentëve dhe pedagogëve.
“Nëse kuadri ligjor për këtë katastrofë është në fuqi deri më 23 qershor, si mund të jap unë mendim nëse jemi gati apo nuk jemi gati. Çdo kërkesë që shkon në kundërshtim me ligjin e konsideroj të paligjshme. Asnjë rektor, dekan apo pedagog nuk mund të ketë mundësinë të gjykojë nëse mund apo nuk mund të kthehen studentët. Në kushtet kur në vendet e zhvilluara evropiane nuk kanë guxuar të deklarojnë hapjen e universiteteve, madje edhe shkollat kanë thënë që jo më shumë se 10 veta në klasë, kush e ka guximin të thotë që studentët duhet të kthehen. Kemi të bëjmë me një urdhër që nuk e di se në çfarë sigurie mbështetet”, tha profesor Fuga.
Sipas Fugës, “zgjidhja është që të shikohet se çfarë po bëjnë vendet e zhvilluara”.
“Duhet hapje graduale e shoqërisë, hapje në ato fronte pune që janë punë në natyrë, si punët në bujqësi, ndërtim, sipërmarrjet me rëndësi strategjike. E dyta, hapen strukturat që kanë mundësi të sigurojnë një gjendje sanitare të sigurt. Pastaj, matet shkalla e përhapjes së epidemisë”, tha Fuga.
Profesori bëri thirrje për një hapje graduale: “Bëj thirrje për gradualitet, hapje të matur dhe të mos luhet me jetën e studentëve dhe pedagogëve. Unë nuk marr asnjë përgjegjësi dhe nuk marr përsipër t’i them studentëve ejani në auditore. Janë shumë të fortë ata që përgatisin zgjedhjet në kushtet kur ne nuk dimë rrethanat kur universitetet mund të bëjnë mësim. Zgjedhjet janë sekondare për mua. Ende nuk ka dalë një mjek të thotë hapni stadiumet, kinematë, kafenetë etj. Del dikush dhe thotë pa argument hapni universitetet”.
Kur u pyet nëse do të lërë shenjë koronavirusi në brezin tonë, Fuga u shpreh: “Nuk mendoj se do të lërë shenja në jetën tonë, pasi pandemi si kjo njerëzimi ka kaluar pafund. Çdo brezi i duket sikur po jeton apokalipsin, por nuk është ashtu”. (A2 Televizion)