
Largimin nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri e sheh me optimizëm. Ai thotë se nuk e sheh si tradhti nga ana e kryeministrit Edi Rama, por si “fillimin e diçka të re”. Për Gjiknurin, largimi i tij nga ky post, ka ardhur si rezultat i këtij procesi riaftësimi brenda partisë dhe jo skenarë të tjera që janë artikuluar në publik, lidhur me akuzat e ngritura për të lidhur me aferën e inceneratorëve.
“Ne pas çdo procesi jemi në proces riaftësimi dhe këtë vendimmarrje e lidh me këtë proces, pa mohuar rezultatet e mira që kjo parti ka arritur. Nuk i quaj ato terma, fundi i diçkaje është dhe fillimi i diçkaje të re. Personalisht nuk ndjej braktisje, jam në komunikim të vazhdueshëm me Ramën, kam një marrëdhënie të qëndrueshme pune, në afërsi dhe distancë aq sa duhet, e respektoj vendimmarrjen tij dhe mundësitë që më ka dhënë”, tha Gjiknuri.
Sa i përket akuzave, Gjiknuri thotë se është mësuar me baltën e hedhur nga opozita.
“Jam mësuar me akuza, ju e mbani mend që akuzohesh për 600 mln euro të CEZ dhe e vërteta doli dritën për diell, pastaj akuzohem për akuza të karakterit politik qoftë për zgjedhje, por ka vetëm një drejtësi që i gjykon këto gjëra, jo opinioni publik i krijuar nga vatra të ndryshme politike, ka vetëm një drejtësi dhe ligji dhe organet e drejtësisë do të flasim”, tha Gjiknuri.
Në vendin e tij, në postin e Sekretarit të Përgjithshëm, kryeministri Edi Rama emëroi Blendi Klosin. (A2 Televizion)