Japonia bëri të pamundurën për të mos i humbur këto Lojëra Olimpike dhe me gjithë problematikat - të krijuara të gjitha prej COVID-19 - sot është gati të ndezë flakën Olimpike. Por në çfarë kushtesh do të zhvillohen këto Lojëra?
Nëse për tifozët ka mjaftuar kufizimi për të mos i lënë në masë në stadium, për sportistët dhe stafet teknike, por padyshim edhe median, kemi të bëjmë me një situatë krejt të panjohur, por edhe shumë të çuditshme.
Ashtu siç kanë raportuar edhe kolegë të ndryshëm nga e gjithë bota, A2 CNN e preku nga afër këtë realitet dhe në këtë material do të tregojmë procedurat që kanë kaluar të gjithë personat e akredituar në Tokio 2020.
Në fakt, procedurat kanë nisur javë më parë. Pasi siguron akreditimin, një gazetar duhet të ndjekë një sërë etapash që nisin me vaksinimin, i detyrueshëm me Pfizer. 96 dhe 48 orë përpara nisjes, çdo person i akredituar duhet të bëjë testet PCR. Udhëtimet kanë masat e veta të rrepta, por kur zbret në Tokio, kontrollet dhe procedurat janë kapilare.
Procedurat nisen me një deklarim të thjeshtë në një formular, por që do të duhet deri në daljen e fundit. Më pas, duhet të shkarkosh aplikacionin ku të dhënat e tua duhet të jenë të hedhura, nëse jo, të duhet që të plotësosh një formular online, për të paktën 20 minuta.

Një barcode i prodhuar të jep mundësinë për të kaluar në sallën tjetër, ndërkohë që fletë të printura të mbushin dorën. Pasi bëhet regjistrimi duhet të kalosh përmes një tjetër korridori që të çon në sallën e testeve, të cilat bëhet nëpërmjet pështymës.
Edhe pse nuk lejohen filmimet, ne mundëm të sigurojmë fshehurazi disa pamje me celular. Nga një procedurë në tjetrën sallat janë të paktën 100 metra nga njëra-tjetra.
Të gjitha dokumentet dorëzohen një kat me lart, ku sportistët dhe gazetarët duhet të presin daljen e negativitetit. Kjo procedurë zgjat për të paktën 45 minuta. Sportistë që kanë udhëtuar nga e gjithë bota janë krejt të sfilitur dhe ndryshimi i orarit i ka bërë të dorëzohen në stolat e aeroportit. Pranë nesh ndodhen disa atletë nga Ukraina dhe ekipi i taekundosë së Mauritanisë. Pasi konfirmohet se jemi negativë, nisin procedurat për akreditimin.
Një pafundësi dokumentesh, dhe në momentin që ti gëzohesh se erdhi fundi, procedurat duket sikur nisin nga e para. Pasi plastifikohet karta dhe ti zyrtarisht ke dokumentin për të qenë i pranishëm në këto lojëra, nis procedura e kontrollit të kufirit.
Çdo dokument duhet të jetë i ruajtur, përfshi numrin e fluturimit, vendi ku keni qëndruar pa llogaritur historikun e udhëtimeve.
Pas 3 orë e 45 minuta dhe pasi ke kaluar të gjitha testet e mundshme, duhet të pranojmë që kanë qenë të gjithë shumë mikpritës, në kontrollin e fundit: matet temperatura dhe të pyesin: “A ndjeheni mirë sot? Mirëserdhët në Tokio!”. (A2 Televizion)