
Senati i Alabamës i dha dritën jeshile ligjit më të ashpër kundër abortit në Shtetet e Bashkuara. Ai parashikon dënime të rënda deri me burgim të përjetshëm për mjekët që praktikojnë.
Projektligji, që ju kalua guvernatores republikane Kay Ivy për nënshkrim, nuk lejon ndërprerje të shtatzënisë as në rastet e përdhunimit apo incestit, por vetëm kur jeta e gruas është e rrezikuar apo kur fetusi ka anomali vdekjeprurëse.
Guvernatorja nuk është deklaruar nëse do ta firmosë, ose jo projektligjin, por ajo shihet si një kundërshtare e fortë e abortit. Debatet që paraprinë votimin në senat, ishin të forta..
“Përse doni të kontrolloni trupin tonë, shumica prej jush kanë vajza vetë”, tha Vivian Figures, senatore e shtetit të Alabamës.
“Po i thoni vajzës sime: ti nuk vlen asgjë në Shtetet e Bashkuara. Burrat mund të të përdhunojnë dhe ti do ta lindësh fëmijën nëse mbetesh shtatzënë”, tha Bobby Singleton, senator demokrat.
Projektligji u miratua fillimisht nga dhoma e Përfaqësuesve të Alabamës. Synimi i promovuesëve republikanë të ligjit është të bindin Gjykatën e Lartë të rishikojë vendimin e saj historik të vitit 1973, që e bëri të ligjshëm abortin. Kufizime për të drejtat e abortit kanë hyrë në fuqi në 16 shtete amerikane. (A2 Televizion)