Rusia dhe Shtetet e Bashkuara konfirmojnë përkushtimin e tyre për të punuar në përmirësimin e marrëdhënieve të tensionuara.
Ky ishte mesazhi kryesor që doli nga takimi i sekretarit të shtetit, Mike Pompeo me ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, që u zhvillua në një resort në Soçi.
“Ne e kuptojmë që ka pasur dyshime dhe keqkuptime të akumuluara në të dy anët. Por as ju dhe as ne nuk po fitojmë nga kjo. Përkundrazi, zemërimi po rrit rreziqet e sigurisë për ju dhe ne si dhe po alarmon të gjithë komunitetin ndërkombëtar”, deklaroi Lavrov.

“Jam këtu për shkak të përkushtimit të presidentit Trump për përmirësimin e marrëdhënieve. Ne kemi diferencat tona dhe çdo shtet do të mbrojë interesin e vet. Por kjo nuk do të thotë se ne jemi kundërshtarë në çdo çështje”, iu përgjigj sekretari i Shtetit të SHBA, Mike Pompeo.
Më tej kryediplomati amerikan i tha homologut rus se dy vendet mund të mos bien dakord për shumë tema, por gjithmonë ka hapësirë për bashkëpunim, veçanërisht në fushën e anti-terrorizmit dhe në pakësimin e armëve bërthamore.
Ndërsa Lavrov iu përgjigj duke theksuar se ka ardhur koha që Moska dhe Uashingtoni të nisin një mënyrë të re konstruktive të të punuarit së bashku. (A2 Televizion)