"Absolut 4": Pandemia, një vit më pas

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2021, 22:56 | Aktualitet
"Absolut 4": Pandemia, një vit më pas

Brataj e pranon: Virusi i ri ka ardhur në Shqipëri

Kreu i Urgjencës Skënder Brataj pranoi në “Absolut 4” se varianti i ri i virusit ka hyrë në vendin tonë pavarësisht përgjigjes zyrtare.

Ai e konsideroi kritike situatën pasi janë rritur të gjithë treguesit, si rritja e infeksioneve shtrimeve në spital dhe vdekjeve.

“Çasti ku jemi është kritik, janë rritur gjithë indikatorët e infeksioneve, të të sëmurëve, të humbjeve të jetëve dhe të shtrimit në spital. Pushimet ishin grumbullimet ulja e temperaturave qëndrimi brenda. Kohëzgjatja ishte mbi 10 ditë. Mendoj që varianti i ri ka ardhur pasi ka një shpeshtim të shpejtë të rasteve si Anglia e vende të tjera. Unë mendoj që virusi është prezent në vendin tonë, pavarësisht përgjigjes zyrtare”.

“Situata kritike”, apeli i mjekut Pilaca: Që nesër të mbyllen shkollat e transporti publik

Mjeku Arben Pilaca ka ngritur alarmin për situatën e koronavirusit në vend, Ai bëri apel që të mbyllen që nesër shkollat, transporti publik dhe aktivitetet jo thelbësore, për të frenuar pandeminë, përkundër tha ai, betejën do ta fitojë virusi. Sipas Pilacës duhet të parandalohet transmetimi.

“Situata që po kalojmë është me të vërtetë kritike, unë do të thoja që nëse ne do i japim avantazh virusit ai vetëm do të na sfidojë dhe do ta fitojë ai betejën. Mekanizmi më i fortë që mund ta frenojmë pandeminë është lufta në terren jashtëspitalore. Gjurmimi, izolimi nuk mjafton, duhet të parandalojmë transmetimin sa të mundim.

Modeli ynë në fazën e dytë i ngjan Suedisë, e cila dështoi. Mendoj që masat shtrënguese janë të vonuara. Unë jam për ndërhyrje të forta, që kur e kishim kurbën më të ulët. Nuk them për gjoba e orare të kufizuara. Që nesër padiskutim të mbyllen shkollat e lokalet dhe aktivitetet që nuk janë jetësore, janë shumë gjëra që na jep ndjesia profesionale, kafet, restorantet dhe transporti publik të mbyllet që nesër”.

Duke folur për ekonominë, Pilaca tha se duhet të mendohet edhe për atë që harxhojnë njerëzit e sëmurë, Ai thekson se nuk është për bllokim total por për masa të forta.

“Kam një dhimbje për ekonominë por e mendoni sa harxhojnë njerëzit e sëmurë. Nuk jam për bllokim total, por për masa të tilla të forta, jo për gjobë. Duhet distancuar njerëzit, është tmerr në rrugët e Tiranës dhe Shqipërisë, janë të mbushura”.

Koduzi: Situata e Covid-19, në prag kolapsi; Brataj: E kemi nën kontroll

Gazmend Koduzi, kreu i departamentit të Shëndetësisë pranë Partisë Demokratike, deklaroi në studion e “Absolut 4” se situata e Covid-19 “është e vështirë, në prag kolapsi”.

“Situata është e vështirë, ka arritur prag kolapsi. Situata ka qenë gjithmonë jashtë kontrollit, rastet aktive të Shqipërisë kanë qenë gjithmonë në rritje, ndërsa te vendet e tjera ka pasur momente zbritjeje. Kjo tregon se nuk ka aspak kontroll”, deklaroi Koduzi.

Klodiana Kapo, kryeredaktore e “faktoje.al”, theksoi se “sot ne ende flasim për gjurmim dhe testim, ndërkohë që vendet e tjera kanë vënë në jetë strategjitë afatshkurtra”.

“Ne kemi hemorragji mjekësh e infermierësh, Tirana mban peshën kryesore të trajtimit, në Vlorë e Gjirokastër nuk ka mjekë anestezist, në Tepelenë ka vetëm një mjek… për të mos folur për aparaturat në spitale”, shtoi Kapo.

Por, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, theksoi se nuk mund të flasim aspak për kolaps.

“Mund të ndodhë, por deri në këtë moment jemi në kontroll. Plani u bë që çdo spital rajonal të kishte 40 shtretër për Covid dhe sot janë gati. Nuk mund të quajmë spital atë pikë urgjence që ndodhet në Tepelenë. Shërbimet, qytetarët e Tepelenës i marrin në Gjirokastër”, deklaroi Brataj.

Vaksinimi, Brataj tregon në “Absolut 4” se si do të veprohet me AstraZeneca

Në studion e “Absolut 4” u debatua mbi procesin e vaksinimit në Shqipëri dhe në veçanti për vaksinën e AstraZeneca, duke qenë se në ditët në vijim në Shqipëri mbërrijnë dozat e para të kësaj vaksine në bazë të programit të Covax.

Disa vende europiane, në bazë të provave, kanë vendosur që kjo vaksinë të mos përdoret për moshat mbi 65 vjeç. Në lidhje me këtë, shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi se si do të veprohet.

“Nëse do të vijnë Pfizer dhe AstraZeneca, Pfizer do të përdoret për të moshuarit. Duke u bazuar se si do të paraqitet skenari kur t’i kemi në dispozicion këto vaksina, do të veprohet. Ende nuk e kemi diskutuar vendimin nëse do të përdoret apo jo vaksina e AstraZeneca”, tha Brataj.

Gazmend Koduzi, kreu i departamentit të Shëndetësisë pranë Partisë Demokratike, ndërhyri duke thënë se nuk ka pasur kurrë plan, pasi, sipas tij, është ecur me parimin “duke parë, e duke bërë”.

“Plan nuk ka dhe nuk ka patur që në fillim. Gjërat janë bërë duke parë e duke bërë. Edhe për vaksinimin nuk ka plan dhe grafik për vaksinimin e grupeve përkatëse. Asnjë person nuk është kontaktuar që t’i thonë se pas 2-3 muajsh të vjen radha”, u shpreh Koduzi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos