
Dy burra rusë të dyshuar për helmimin në Salisbury të Sergei Skripal në vitin 2018 kanë lidhje me një shpërthim në një depo armësh në Republikën Çeke katër vjet më parë.
Policia çeke publikoi fotografi të Aleksandër Petrov dhe Ruslan Boshirov, për të cilët thonë se ishin në vend në kohën e shpërthimit, ku mbetën të vrarë dy persona.
Republika Çeke ka dëbuar 18 diplomatë rusë si hakmarrje, ndërsa një parlamentar i lartë rus të shtunën e quajti pretendimin absurd.
Kryeministri çek Andrej Babis tha se vendi duhej të reagonte ndaj zbulimeve që lidhnin shpërthimin me shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU.
Në një konferencë shtypi të shtunën në mbrëmje, z. Babis tha se 18 diplomatët që ishin identifikuar se punonin për shërbimet e inteligjencës ruse, kishin 48 orë për të lënë vendin.
"Ekziston një dyshim i arsyeshëm se agjentët sekretë rusë të shërbimit GRU ishin të përfshirë në shpërthimet e 2014-ës në një depo municionesh në fshatin çek Vrbětice", tha ai.
Në të njëjtën kohë, policia lëshoi një kërkesë për ndihmë në kërkimin e dy individëve, për të cilët tha se ishin në vend midis 11 tetorit dhe 16 tetorit 2014, së pari në Pragë dhe më pas zonën ku ndodhet depoja e armëve.
Policia çeke po kërkon të dyshuar duke përdorur identitetin Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov në lidhje me shpërthimin.
Këta janë të njëjtët emra të përdorur nga dy oficerë të inteligjencës ruse, për të cilët Britania e Madhe thotë se kryen helmimin në Salisbury, Wiltshire në 2018. (A2 Televizion)