
Zgjedhjet në Partinë Demokratike nuk zgjedhin thjesht kryetarin e ri të partisë, por vendosin fatin e zgjedhjeve të ardhshme. Kështu u shpreh kandidati për kryetar i kësaj partie Agron Shehaj, pas votimit në selinë blu. Në një deklaratë për mediat ai u bëri thirrje mbështetësve dhe votuesve që të votojnë me qetësi. Duke i qëndruar deklaratës së bërë më herët për “standartin e ulët të demokracisë”, Shehaj tha se ky standard mund të kthehet në bumerang për Partinë Demokratike.
“Falenderoj mbështetësit dhe vëzhguesit e mi në të gjithë Shqipërinë. I ftoj demokratët që të votojnë me qetësi, sepse nuk zgjedhin vetëm kryetarin e ri të PD, por vendosin fatin e zgjedhjeve të ardhshme. Këto zgjedhje vendosin standardin e PD, por nëse standardi është i ulët në këtë proces mund të kthehet në një bumerang për PD. Është e rëndësishme se kush do të fitojë zgjedhjet, por akoma më e rëndësishme është besueshmëria e PD.” (A2 Televizion)