
Agroturizmi, zgjidhja sipas qeverisë për braktisjen e fshatrave, nuk arriti të përfitonte nga viti rekord i turizmit për Shqipërinë. Sipas strukturave që ofrojnë gatime tradicionale dhe me produkte të vendit, edhe pse të huajt qenë të shumtë, ishin më pak të prirur për të shpenzuar.
“Gushti them që është më dobët se viti që kaloi. Arsyeja që ne kemi analizuar, është sepse kanë ardhur turistët low-cost. Sepse reklama që i është bërë Shqipërisë është se këtu hahet lirë, hahet me 10 euro/person. Realisht kanë ardhur turistë ku po të shkosh në Sarandë, i gjen më shumë sufllaqeritë të mbushura plot e restorantet shumë pak”, u shpreh Flori Uka.
Pavarësisht pasurimit të ofertës turistike, ajo nuk është mirëpritur siç duhet nga të huajt, të cilët më së shumti preferojnë një vakt të shpejtë e të lirë.
“Çmimet standarde që ne kemi pasur për turistët është 18-20 euro për person. Shumë e cila është disa herë më e lirë se në Evropë”, shtoi ai.
Një problem që po rëndohet vit pas viti për strukturat e agroturizmit mbetet fuqia punëtore dhe me të ardhura të ulëta nga ky lloj turizmi low-cost, perspektiva duket edhe më e dobët.
“Të rinjtë ikin jashtë, ata që janë në shkollë të vegjël janë në shkollë dhe presim deri në orën 2 derisa të vijnë. Ndërsa gratë që kanë ngelur në punë janë ato gra fëmijët e të cilave janë në emigrim. Dhe kur të ikin ato nuk e dimë çfarë do bëjmë se nuk jemi aq mirë sa t’i paguajmë punëtorët me paga të larta”.
Më të kënaqur rezultuan ndërkohë pronarët e bujtinave, të përqendruara kryesisht në veri dhe lindje të vendit, aty ku turistët që duan të shijojnë natyrën ishin më të shumtë.
“Ka qenë mjaft i mbarë për të gjithë sektorin e bujtinave dhe restoranteve, të cilët kanë mirëpritur një fluks të madh, zonat e veriut, por dhe të jugut e Shqipërisë së mesme. Në këto ritme po ngrihen edhe bujtina të reja të cilat duan të ofrojnë këtë lloj shërbimi”, tha Kujtim Dervishi nga Shoqata e Bujtinave.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, në të gjithë territorin e Shqipërisë operojnë zyrtarisht 52 subjekte agroturizmi. Transformimi i fermave në restorante dhe fjetore me prodhimet e zonës është theksuar vazhdimisht përgjatë viteve të fundit nga kryeministri si më fitimprurës se emigrimi, por adaptimi në këtë model biznesi ka qenë i ngadaltë. (A2 Televizion)