
Kryeministri Edi Rama ka reaguar rreth akuzave të bëra së fundmi në emër të Monika Kryemadhit në lidhje me financime të mundshme apo pagesa dy dyshimta nga kompani offshore, të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës.
Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, kreu i qeverisë kërkon verifikim ligjor për akuzat që janë hedhur në drejtim të ish-kryetares së LSI-së. Rama i bën thirrje drejtësisë të provojë se nuk punon me dy standarde.
Rreth akuzave për Kryemadhin foli më herët edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Ai tha para gazetarëve se Kryemadhi duhej t’i kishte sqaruar të gjitha akuzat që ngrihen në emër të saj.
"Rreth 5 vite më parë kam dalë në mënyrë të rregullt para jush për një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Edhe Shqipëria ka qenë target i financimit të paligjshëm nga kompani guaska, offshore të cilat financonin parti politike apo politikanë të caktuar. E djeshmja është një panoramë e plotë, është skema e përdorur nga Kremlini që përmes oligarkëve, që përmes biznesmenëve përfitues të kenë financuar politikanë të caktuar në vende të ndryshëm të Europës. Lidhja me politikanë të caktuar për të dëmtuar demokracinë dhe për të krijuar një front rus në këto vende. Dokumentet e publikuara dje nga TCH janë disa pyetje që unë mendoj vetë që Kryemadhi të kishte dalë dhe t’i sqaronte këto çështje...”, deklaroi Balla. (A2 Televizion)