
13 aksidente me 28 humbje jetësh, janë statistikat fatale të segmentit rrugor Fushë Dukagjin-Kolsh, pjesë e rrugës së Kombit.
Shumica e aksidenteve kanë ndodhur nga mjetet e tonazhit të rëndë. Për drejtuesit e kamionëve ky segment ka pjerrësi dhe kthesa të forta, ndërsa apelojnë për kujdes të shtuar veçanërisht nga drejtuesit e rinj të mjeteve dhe nga ata që e bëjnë për herë të parë këtë segment rrugor.
Ky është aksidenti më i fundit me pasojë vdekjen e drejtuesit të mjetit në segmentin Fushë Dukagjin–Kolsh në rrugën e kombit.
Në 13 vitet e fundit, në këtë vend kanë humbur jetën 28 persona në 13 aksidente ku janë përfshirë kryesisht mjete të tonazhit të rëndë.
Ky numër i lartë aksidentesh me pasoja fatale për jetët njerëzorë e ka kthyer këtë segment në një prej pikave më të rrezikshme rrugore në vend.
Hetimet e policisë rrugore kanë konkluduar se thuajse në të gjitha rastet shkak i aksidenteve ka qenë pakujdesia e drejtuesve të mjeteve.
Por çfarë thonë këtë të fundit që janë të detyruar për vite me radhë ta bëjnë shpesh këtë segment rrugor dhe çfarë përfaqësojnë për to kthesat e rrezikshme ku ndodhin aksidentet.
E ndërsa rrezikshmëria e rrugës paralajmërohet me sinjalistikë dhe kufizim shpejtësie, shoferët e kamionëve apelojnë për më shumë vëmendje dhe kujdes veçanërisht nga drejtuesit e rinj të mjeteve dhe atyre që e bëjnë për here të parë këtë segment rrugor. (A2 Televizion)