Policia e Elbasanit ka reaguar në lidhje me aksidentin e rëndë që ndodhi pasditen e sotme në Qafë – Thanë, ku një automjet tip “Benz” humbi kontrollin dhe u përplas me një autobus pasagjerësh, e për pasojë gjashtë persona kanë mbetur të plagosur rëndë.
Sipas Policisë, të gjashtë të plagosur, përfshirë edhe drejtuesin e mjetit, janë nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranës për marrjen e ndihmës mjekësore.
“Përrenjas/Informacion paraprak: Rreth orës 16:20, në aksin rrugor Qafë Thanë - Përrenjas, autobusi që drejtohej nga shtetasi I. A., 51 vjeç, me drejtim lëvizjeje Pogradec - Përrenjas, është përplasur me automjetin tip "Benz", që drejtohej nga shtetasi I. M., 28 vjeç, me drejtim lëvizjeje nga Përrenjasi në drejtim të Pogradecit.
Si pasojë e aksidentit automjeti tip "Benz" është përfshirë nga flakët dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 5 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore.
Gjithashtu, janë shkaktuar vetëm dëme materiale në autobusin që drejtohej nga shtetasi I. A. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan dhe grupi hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.
Ndërkohë, A2CNN ka siguruar momentin kur helikopteri ka ateruar në pistën e stadiumit për të marrë të plagosur e aksidentit për t’i transportuar drejt Tiranës për marrjen e një ndihme më të specializuar mjekësore. (A2 Televizion)