
Në mesin e 10 viktimave të aksidentit të tmerrshëm në Sllavonski Brod të Kroacisë, është edhe 55-vjeçari, Hamet Hoxha nga fshati Randobravë i komunës së Prizrenit. Familjarët janë të shokuar me ngjarjen, pasi kanë humbur në këtë aksident fatal edhe mikun e shtëpisë, Kujtim Kastrati.
Valmir Hoxha nga Randobrava e Prizrenit, po pret familjarë, të afërm, miq e bashkëvendas të cilët po vijnë për të ngushëlluar atë dhe familjarët e tjerë të tij.
Valmir Hoxha tregon se familja është në pritje të vendimeve që do të merren nga autoritetet shtetërore të Kosovës për varrimin e viktimave, ndërsa mëngjesin e sotëm janë vizituar nënkryetari i Prizrenit, Visar Shehu dhe njëri nga këshilltarët e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Mëngjesi i djeshëm ishte i kobshëm për Kosovën, pasi një autobus i linjës Frankfurt – Prishtinë u përplas në Sllavonski Brod të Kroacisë ku humbën jetën 10 bashkatdhetarë e dhjetëra të tjerë u lënduan. (A2 Televizion)