
Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Igli Madanin, drejtuesin e mjetit Audi që shkaktoi aksidentin me 4 viktima në autostradën Levan- Vlorë. Gazetarja e A2 Jerola Ziaj raporton se Madani nuk ishte i pranishëm, ndërsa është paraqitur avokati me prokurë të posaçme.
Avokat i çështjes ishte Remzi Mehmetaj, ndërkohë që seanca është drejtuar nga Vjola Canaj.
Gjatë seancës avokati i Madanit ka kërkuar një masë më të lehtësuar. Duke e lidhur gjithçka me gjendjen e rënduar psikologjike të Madanit pas aksidentit të rëndë. Sipas avokatit në sallë Madani është në gjendje të rënduar, ndërsa ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.
Aksidenti ndodhi mëngjesin e së premtes në autostradën Levan-Vlorë, ku Audi i drejtuar nga 22-vjeçari Igli Madani goditi nga pas mjetin tip Toyota, në të cilën udhëtonte familja Gushi, e cila u shua. (A2 Televizion)