Aksioni i policisë në kampin "Ashraf 3", Ministria e Brendshme: MEK shkeli marrëveshjen e 2014-s

Nga A2 CNN
20 Qershor 2023, 12:54 | Kronikë
Aksioni i policisë në kampin "Ashraf 3", Ministria e

Situata e tensionuar në kampin “Ashraf 3” në Manëz, ku janë strehuar rreth 3 mijë muxhahedinë iranianë, ka sjellë edhe një reagim nga ana e Ministrisë së Brendshme.

Teksa banorët e kampit të MEK pretendojnë se dy persona janë vrarë gjatë përplasjeve me policinë, e cila ka përdorur gaz lotsjellës, Ministria e Brendshme mohon të ketë viktima nga ky aksion i urdhëruar nga Prokuroria e Posaçme.

Sipas MB, operacioni i sotëm i Policisë së Shtetit në vendqëndrimin e MEK është në zbatim të plotë të urdhrit të SPAK dhe vendimit të GJKKO.

Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale”, thuhet në reagimin e MB.

Sipas Ministrisë së Brendshme, vendimi i strukturave të drejtësisë për të kontrolluan kampin e MEK është i justifikuar pasi muxhahedinët kanë shkelur marrëveshjen e nënshkruar në 2014 me shtetin shqiptar.

Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qënë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë”, nënvizohet në reagimin e MB. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/06/20/kontrollet-per-antiterrorizem-muxhahedinet-pretendojne-per-2-viktima-policia-e-mohon/
https://a2news.com/2023/06/20/nje-i-vdekur-ne-mesin-e-muxhahedineve-ne-manze-policia-dyshohet-arrest-kardiak/
https://a2news.com/2023/06/20/pretendimet-per-viktima-a2-cnn-brenda-spitalit-te-kampit-mek/

A2 CNN Livestream

Latest Videos