"Territor i pastër", pranga një 52-vjeçari në Krujë, asgjësohen 500 bimë cannabis

Nga A2 CNN
20 Qershor 2023, 08:36 | Kronikë
"Territor i pastër", pranga një 52-vjeçari në

Një 52-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Krujës, gjatë fazës së 16-të të megaoperacionit antikanabis të koduar “Territor i pastër”. Bëhet fjalë për Agron Hoxhën, i cili dyshohet si autor i kultivimit të 500 bimëve narkotike cannabis sativa, të cilat ndodheshin pranë banesës së tij. Policia asgjësoi me anë të djegies këto bimë.

Në fazat e mëparshme të këtij megaoperacioni, janë gjetur dhe asgjësuar 8753 bimë të dyshuara narkotike kanabis.

Njoftim i Policisë Krujë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të megaoperacionit policor antikanabis "Territor i pastër", bazuar dhe në inteligjencën informative, se një shtetas kishte kultivuar bimë narkotike në Kodër-Mazhë, kanë vijuar intensivisht kontrollet dhe kanë finalizuar fazën e 16-të të këtij megaoperacioni.

Si rezultat i kontrollit të ushtruar në kuadër të fazës së 16-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, në afërsi të banesës së shtetasit A. H., në Kodër-Mazhë, Krujë, u gjetën të kultivuara 500 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 52 vjeç, banues në Mazhë e Vogël, Krujë.

Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”, vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos