“Aktivisti” para drejtësisë, PS ankohet për manipulim të listës, Meta e cilëson krim zgjedhor

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2023, 16:36 | Politikë
“Aktivisti” para drejtësisë, PS ankohet për manipulim

Ngjashëm me zgjedhjet e vitit 2021 kur në media doli lista e patronazhistëve të Partisë Socialiste, gara vendore e 14 majit të këtij viti u parapri nga publikimi i përdoruesve të aplikacionit “Aktivisti”, që përdoret nga PS për t’i bërë jehonë aktivitetit të Qeverisë dhe institucioneve që drejtohen nga mazhoranca. Ndryshe nga 2 vjet më parë, socialistët nuk u përpoqën të mohonin, por folën për manipulim që duhet zbardhur nga drejtësia.

“Emrat janë marrë nga aplikacioni, por lista është manipuluar. Do ta ndjekim në një rrugë ligjore”, tha Xhafaj

Edhe Ilir Meta kërkon përfshirjen e drejtësisë, por flet për krim zgjedhor dhe presion ndaj administratës.

“Administrata detyrohet, skandal pjesëmarrja e prokurorëve. Drejtësia duhet ta hetojë si një krim zgjedhor”, u shpreh Meta.

Etjen Xhafaj hedh poshtë akuzat e opozitës që qeveria e majtë po I bën presion administratës për like, share dhe komente. Madje socialisti vë në “bast” edhe mandatin e tij për këtë akuzë.

“Nuk i bëjmë presion, sepse ne nuk e dimë ku punon. Nëse më nxirrini një rast që është hequr nga puna unë lë mandatin”, tha Xhafaj.

Për shpërndarjen e aktiviteteve, pëlqimeve apo komenteve në postime, përdoruesit vlerësohen me pikë dhe për më aktivët ka edhe shpërblime.

Për numrin dy të qeverisë, njëkohësisht drejtuese politike e PS në qarkun e Dibrës, aplikacioni “Aktivisti” është transparent.

“Nuk ka asnjë problem që gjyqtarët janë pjesë e këtij aplikacioni. Madje ftoj edhe Berishën të hyjë  dhe të shohë”, deklaroi Balluku.

Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses së saj e ka cilësuar skandal abonimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në aplikacionin elektoral të PS.

Ndërsa kryeministri postoi një video motivuese për njerëzit e tij, siç bëri edhe me patronazhistët dy vjet më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos