
Ministria e Shëndetësisë ka nisur në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar një kopje të akteve për tenderat të cilët u cilësuan si sekrete.
Fillimisht, këto tendera u denoncuan nga Partia Demokratike. Partia Demokratike ka bërë publik një e-mail zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, ku sipas të cilit pretendon se vërtetohen akuzat, se më 15 prill u dogjën nga zyra e prokurimeve, dokumente që lidhen me tenderat për blerjen e pajisjeve mjekësore në situatën e pandemisë.
SPAK ka marrë në dorëzim dokumentet dhe do të bëjë vlerësimin e tyre.
Dje, Ministria e Shëndetësisë, përmes një reagimi zyrtar, i mohoi akuzat e PD-së, duke deklaruar se e-mail-i është pjesë e protokolleve të sigurisë. "Zbulimi i bërë sot nga PD-ja i referohet një e-mail-i "tërheqje vëmendje" të para 26 ditëve, nga përgjegjësia për sigurinë në ministri, e cila i është drejtuar stafit pas një incidenti të shkaktuar nga një punonjëse, ndaj së cilës më pas është marrë masë administrative”, lexohej në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Por, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, tha për ministren e Shëndetësisë se ka 1 muaj që thotë në çdo media se jemi të hapur për çdo hetim, por dokumentet në SPAK i dërgon me 3 javë vonesë, vetëm pasi i vë zjarrin Ministrisë!
''SPAK nuk ndërhyn, pret dhe e rinjofton që nëse nuk i sjell deri javën tjetër, bëhu gati se do vijmë t’i marrim vetë në Ministri! Koordinim perfekt i një bande hajdutësh në kohë pandemie!
Gëzuar Ditën e Drejtësisë së Rilindur”, ishte reagimi i Bardhit. (A2 Televizion)