Akuzohet se mori 6000 euro ryshfet, SPAK kërkon 4 vite e gjysmë burg për ish-gjyqtaren Mimoza Margjeka

Nga A2 CNN
27 Tetor 2022, 13:52 | Kronikë
Akuzohet se mori 6000 euro ryshfet, SPAK kërkon 4 vite e gjysmë burg

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 4 vite e 6 muaj burg për gjyqtaren Mimoza Margjekaj, të cilën e akuzon për korrupsion. Në pretencën e dhënë para Gjykatës së Posaçme për ish-gjyqtaren e Apelit në Korçë, kërkohet edhe dënimi i bashkëshortit të saj, Arben Cara, me 4 vite burg.

Sipas SPAK, shtetasit e pandehur në këtë çështje, Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj i kanë dhënë gjyqtares një shumë prej 6 mijë euro me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për kalim të paligjshëm të kufijve, ndryshim që më pas ndodhi efektivisht nga Apeli i Korçës.

Pretenca e SPAK

Nejton Bali, kërkohet dënimi me 1 vit e 2 muaj burg

Skënder Demiraj, kërkohet dënimi me 3 vite burg

Klaudjo Zhilla, kërkohet dënimi me 3 vite burg

Arben Cara, kërkohet dënimi me 4 vite burg

Mimoza Margjeka, kërkohet dënimi me 4 vite e 6 muaj burg

Sipas dosjes hetimore, të cilën A2 CNN e ka parë, shifra prej 6 mijë euro përmendet në komunikimet mes Nejton Balit dhe nënës së tij, si shumë e nevojshme për kthimin e familjarit në shtëpi. Një ditë para seancës gjyqësore grupet e vëzhgimit kanë fiksuar takime mes burrit të gjyqtares, në atë kohë dekan në Universitetin e Durrësit, avokatit Demiraj si edhe Klaudio Zhillës, i dyshuar si ndërmjetës. Takimi është zhvilluar në një restorant në Korçë dhe është përsëritur edhe ditën e seancës.

Dy orë para zhvillimit të gjyqit, në 29 korrik 2020, Nejton Bali sqaron të ëmën se 6 mijë euro ia ka dhënë atyre për ta nxjerrë, por se duhen edhe 5 milionë për garancinë pasurore. Sipas tij, avokati Demiraj i kishte thënë se “me 99% e kishte mbaruar këtë punë”, pastaj, nëse "e hanin në llaf gjyqtarët" do të kishin punë me të, pasi i kishte dhënë lekët që një natë më parë.

Pas shpalljes së vendimit, Nejton Bali ka telefonuar të ëmën ku i thotë se “Orioni ka dalë”, ndërsa avokati Demiraj telefonon Klaudio Zhillën duke i thënë se “mbaroi punë”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2020/09/10/afera-6-mije-euro-pergjimet-qe-zbuluan-korrupsionin-ne-apelin-e-korces/

A2 CNN Livestream

Latest Videos