Alarmi i OKB: Bota e rrezikuar nga uri e përmasave biblike

Nga A2 CNN
22 Prill 2020, 12:32 | Bota
Alarmi i OKB: Bota e rrezikuar nga uri e përmasave biblike

Bota rrezikon të vuajë urinë në përmasa biblike për shkak të pandemisë që ka mbërthyer botën. Paralajmërimi vjen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë një videokonference, David Beasley, kreu i Programit Botëror të Ushqimit, tha se nevojitej veprim urgjent dhe i mirëmenduar për të shmangur katastrofën.

“Sot me Covid-19 dua të theksoj se nuk përballemi vetëm me një krizë shëndetësore, por edhe një katastrofë humanitare globale. Miliona civilë përfshirë gra e fëmijë, jetojnë në vende të gjymtuara nga lufta e tani rrezikojnë të vdesin urie”, tha Beasley.

Raporti global për krizat ushqimore, vlerëson se numri i atyre që vuajnë urinë do të shkojë nga 135 milionë në më shumë se 250 milionë. Popullsitë më të rrezikuara janë ato në 10 vendet e prekura nga konfliktet, kriza ekonomike dhe ndryshimet klimatike; Jemeni, Republika Demokratike e Kongos, Afganistani, Venezuela, Etiopia, Sudani dhe Sudani Jugor, Siria, Nigeria dhe Haiti.

Në Sudanin e Jugut, 61% e popullsisë ishte prekur nga kriza ushqimore vitin e kaluar, e gjithashtu pjesë të Afrikës lindore dhe Azisë jugore po përballeshin me mungesa të theksuara për shkak të thatësisë dhe pushtimit të pazakontë të karkalecave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos