
Bizneset nuk po kërkojnë kredi, edhe pse interesat janë në rënie. Banka e Shqipërisë konstaton tkurrje të fortë me rreth 24 miliardë lekë më pak në nëntor 2018 kundrejt një viti më parë për korporatat jo financiare. Rënia është e ndjeshme për sektorin e energjisë elektrike, pasuar nga bujqësia dhe industria përpunuese.
Një situatë e ndryshme është për individët, ku kredia u rrit në nëntor me 5.7 miliardë lekë kryesisht për blerje banese dhe konsum. Interesat kanë ndjekur përgjithësisht trend rënës, me përjashtim të kredive konsumatore, çka tregon skepticizmin e bankave për të financuar projekte që nuk kanë lidhje me investimet. Tkurrja e kërkesës për kredi nga bizneset është një lajm i keq për ekonominë, që financohet në pjesën dërrmuese nga investimet private. (A2 Televizion)