
E sapo ardhur në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka njoftuar ndërprerjen e procedurës së Partneritetit Publik Privat për aksin Thumanë – Kashar. Ministrja e re ka shpjeguar për median se fondet e këtij projekti do të përdoren në funksion të zbatimit të angazhimeve të Paktit për Universitetin, në fushën e infrastrukturës arsimore.
Ministrja ka bërë të ditur gjithashtu, se financimi i projektit të rrugës mbetet prioritet I qeverisë dhe po shihet mundësia që ai të përfshihet në zgjerimin e Tiranë – Durrës. Sipas Ballukut, ideja është që pikërisht aksit Kashar – Rrogozhinë t’i shtohet dhe aksi Thumanë – Kashar, i cili garanton qoftë hyrjen e shpejtë në Tiranë nga veriu qoftë një lidhje shumë me të shpejtë midis veriut dhe jugut gjatë sezonit turistik. (A2 Televizion)