Borë, shi dhe rrëshqitje gurësh në rrugë gjatë natës, ARRSH: Nuk ka bllokime aksesh

Nga A2 CNN
8 Mars 2020, 11:07 | Aktualitet
Borë, shi dhe rrëshqitje gurësh në rrugë gjatë

Reshje bore dhe shiu janë regjistruar në Shqipëri gjatë natës, në veri dhe jug të vendit. Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se borë ka pasur në akset Qafë Mali-Fierzë, Bajram Curri-Valbonë, pjesët fundore të akseve U. Cerenecit- Steblevë, dhe Kuben-Vasije. Megjithatë, qarkullimi vazhdon normalisht, pa zinxhirë, në të gjithë rajonin e veriut. Në segmentin Fushë Studë-Steblevë ka rreth 5-7cm dëborë, por nuk ka probleme me qarkullimin.

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut ka pasur rënie gurësh dhe rënie dherash në akset rrugore:

Në aksin Berat-Çorovodë, që ka sjellë vështirësi në qarkullim për disa minuta, aktualisht rruga është pastruar dhe qarkullimi kryhet pa probleme.

ARRSH thotë se drejtuesit e mjeteve duhet të tregohen të kujdesshëm pasi mund të ketë përsëri rënie gurësh për shkak të reshjeve.

Në km e 12-të të aksit Maliq-Lozhanë pati rënie të një masivi dherash dhe pemësh, të cilën kontraktorët e mirëmbajtjes e pastruan dhe tani qarkullimi vazhdon normalisht.

Në aksin Çorovodë-Hambull pati rënie gurësh, u pastruan nga kontraktori dhe qarkullimi vazhdon normalisht.

Në aksin Këlcyrë-Përmet pati dalje të disa përrenjve anësorë duke sjellë në rrugë dhera dhe gurë, aksi u pastrua nga kontraktori, qarkullimi vazhdon normalisht.

Drejtuesit e mjeteve duhet të tregohen të kujdesshëm për shkak të lagështisë në rrugë, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, thotë ARRSH. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos