
Enkelejd Alibeaj ka prezantuar pasditen e së martës Roland Bejkon, si kandidat i grupimit të tij për Tiranën në zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë fjalës së tij, Alibeaj theksoi se deri në afatet e fundit grupimi i tij dorën e ka pasur të shtrirë, por si përgjigje kanë marrë vetëm refuzim për bashkëpunim.
Po ashtu, ai u shpreh se Belind Këlliçi, kandidati i “Rithemelimit” për kryetar të bashkisë Tiranë, e ka pasur mundësinë për të garuar nën siglën e PD-së. Por Alibeaj shtoi më tej, tashmë Këlliçi do të garojë “nën siglën e një partie të majtë siç është Partia e Lirisë” e Ilir Metës.
Kreu i komanduar i PD-së solli po ashtu në vëmendje se vijon të mbetet i mendimit që grupimi i tij duhej të kishte 61 përfaqësues në zgjedhjet vendore.
“Ne e shtrimë dorën, dora ka qenë e shtrirë deri në momentet e fundit. Pengesat lindën edhe nga KQZ...Dora ka qenë e shtrirë për ata kandidatë të Foltores që kanë dashur, por janë penguar në forma të ndryshme që të kandidojnë nën siglën e PD.”
Alibeaj ju përgjigj edhe akuzave të bëra shpesh nga grupimi tjetër, të cilët e cilësojnë si të shitur te kryeministri Edi Rama. (A2 Televizion)