
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, e ka quajtur të pavlefshme mbledhjen e grupit parlamentar të thërritur nga Enkelejd Alibeaj, për çështjen e Presidentit të Republikës.
Sipas tij, i vetmi organ i PD që mund të mbajë qëndrim politik për këtë çështje, është Këshilli Kombëtar. “Lidhur me mbledhjen e grupit parlamentar, të thirrur sot nga zoti Alibeaj, në cilësinë e nënkryetarit të grupit deklaroj se ajo është nul”, tha Boçi në një postim në rrjetet sociale.
“Është nul për dy arsye:
Së pari zoti Alibeaj ka tagrin e Ramës dhe të Ballës, por nuk ka tagrin e demokratëve te cilët e kanë shkarkuar atë në Kuvendin e datës 30 prill. Së dyti mbledhjen e grupit e thërret Kryesia e Grupit dhe jo një deputet, qoftë ai i njohur nga Rama si përfaqësues grupi.
Prandaj nga ky moment kërkoj në ditët në vazhdim thirrjen e mbledhjes së Kryesisë së Grupit, për të diskutuar e vendosur për mbledhjen e Grupit Parlamentar. Grupi parlamentar i PD nuk mund të mblidhet sa herë e kërkon e kur e kërkon Rama-Balla. Ne nuk mund të shkojmë pas qerres së Ramës çfarëdolloj pamje të ketë ajo.
Këtu nuk bëhet fjalë për bojkot. Koha e bojkotit dhe e pazareve ka perënduar. Qëndrimin politik në raport me çështjen e zgjedhjes së Presidentit e vendos Këshilli Kombëtar, si organi më i lartë vendimmarrës politik pas Kuvendit dhe e pasqyron në qëndrim Grupi Parlamentar. Kjo është rruga statutore e funksionimit të Partisë Demokratike”. (A2 Televizion)