
Dashnor Sula ishte një nga deputetët e Partisë Demokratike që nuk mori pjesë në Kuvendin e 30 prillit, pasi e cilëson si të nxituar, ndërsa për A2 CNN tregon se nuk e bindi as procesi i zgjedhjes së strukturave në bazë.
“Po u them që është i njëjti proces që ndodhi në zgjedhjet e 13 qershorit, me zotin Basha në vitin 2021. Prapë një nxitim, prapë një vrapim, e njëjta situatë”, shprehet Sula.
Ai nuk bie dakord me Sali Berishën, i cili pretendon se 41 000 anëtarët aktivë që votuan delegatët e Kuvendit të 30 prillit vulosën bashkimin e demokratëve: “Këto 41 mijë sjellin fitoren? Jo, sepse e kemi provuar. Çfarë bashkimi është ky? Ne kishim problem kur ishim bashkë, jo tashmë që jemi të përçarë”.
Ndryshe mendon Myslim Murizi, që pikërisht përmes Kuvendit të 30 Prillit u rikthye në PD: “Nga 35 deputetë që nuk erdhën, shumica nuk janë anëtarë. Kush e bëri anëtar Gaz Bardhin, Agron Gjekmarkajn dhe Flutura Açkën? Para pak kohësh, të gjithë kishin bërë deklaratë, por dikush i mori në telefon, “mos shkoni në Kuvend se do të shpalleni armiq”. Ndoshta do të ftillohen”.
Pavarësisht se është kundër rrugës që po ndjek Komisioni i Rithemelimit, Dashnor Sula është gati të pranojë lidershipin e ri të partisë, nëse gjykata e konfirmon atë: “Nëse gjykata vendos në favor të Rithemelimit, çdo gjë është e qartë dhe të gjitha vendimmarrjet janë të legjitimuara”.
Për Murizin, pak rëndësi ka se cilit krah gjykata do t’i njohë të drejtën për të mbajtur logon e PD-së: “Nuk të bën zyra dhe vula të fortë. Ta kesh vulën sa tavolina, nuk ka çfarë duhet nëse nuk ke njerëz poshtë”.
I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të bëhet pjesë e garës për kryetar, Murizi pohoi se ka kontribute në PD më shumë se aspirantët e rinj. (A2 Televizion)