
Në Bergamo nuk kishte një fitues. Juventus mori një barazim mes vuajtjesh me Atalantën, në limite të kohës shtesë.
Bergamaskët shënuan të parët me Malinovskin, ndërsa kur dukej se gjithçka ishte mbyllur, Danilo shënoi në minutën e 92-të, çfarë bëri që dy skuadrat të ndanin vetëm një pikë.
Një barazim që mban Juventusin në vendin e katërt, me 46 pikë, një më shumë se Atalanta e vendit të pestë.
Pas këtij rezultati, trajneri i bardhezinjve, Massimiliano Allegri, vrau shpresën e tifozëve, duke thënë se titullin kampion këtë sezon e fiton Interi, pavarësisht merkatos së fuqishme që klubi nga Torino bëri në janar, duke afruar Vlahovic dhe Zakaria.
“Për titullin kampion kemi dalë me kohë jashtë loje, janë shumë pikë për t’u rikuperuar ndaj 3 skuadrave që kemi para nesh. Le të mendojmë për vendin e katërt dhe për përmirësimin e lojës sonë. Me gjithë respektin për Milan dhe Napoli, titullin e fiton Interi, sepse është skuadra më e fortë”. (A2 Televizion)