
Faza e tretë në Kategorinë Superiore ka nisur më luftarake se kurrë. Kampionët në fuqi të Teutës gjenden në një krizë totale, kjo nisur nga humbja 4-0 përballë Partizanit, në “Elbasan Arena”, që i demoralizoi edhe më shumë.
Edhe këtë javë, durrsakët i pret një ndeshje e vështirë, siç është ajo përballë Vllaznisë, në Shkodër. Dy skuadra që sezonin e kaluar diferencën e bënë vetëm nga golat e shënuar, do të matin forcat këtë të dielë me synimin e vetëm për të fituar.
Nga ana tjetër, Partizani që me drejtimin e Mehmetit ka marrë një tjetër stil loje, do të ketë përballë Skënderbeun, një skuadër që gjithmonë i ka hapur jo pak probleme ekipeve të mëdha. Shqetësimi për klubin mbetet heroi i momentit, Xhuliano Skuka, i cili pësoi një dëmtim në ndeshjen e Kupës dhe nuk dihet nëse do të jetë gati, ndërsa Hadroj është rikuperuar plotësisht.
Ndërkohë, të hënën Tirana ka mundësi të thellojë dhe më shumë diferencën me ndjekësit, pasi ka një duel të lehtë në shtëpi përballë Egnatias, edhe pse tekniku Orges Shehi do të bëjë llogaritë pa dy titullarë të rëndësishëm, si Hoxhollari (i dëmtuar) dhe Taulant Seferi, për shkak se ka plotësuar numrin e kartonave. (A2 Televizion)